Sejdiu: Dr. Alush Gashi ishte personalitet i shquar i shtetndërtimit të Kosovës
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit, mjekut dhe veprimtarit Alush Gashi duke e cilësuar atë si një nga personalitetet me kontribute të veçanta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sejdiu tha se kishte bashkëpunuar ngushtë me dr. Gashin në kuadër të Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në proceset e shtetndërtimit duke vlerësuar angazhimin e tij për forcimin e miqësive të Kosovës në botë, veçanërisht në SHBA.
Ai kujtoi kontributin e dr. Gashit si shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe më pas ministër i Shëndetësisë.
Në fund, Sejdiu u shprehu ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve, familjes Gashi dhe të gjithë bashkëpunëtorëve e miqve të të ndjerit. /Kosova.info/
