Ndahet nga jeta trajneri i njohur i volejbollit, Sheqir Ferizi

Komuniteti sportiv në Kosovë është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të trajnerit të njohur të volejbollit, Sheqir Ferizi, në moshën 49-vjeçare.

Përmes një njoftimi mortor, Federata e Volejbollit e Kosovës, presidenti Bahri Gjinovci, Bordi i FVK-së dhe i gjithë komuniteti i volejbollit kanë shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e tij.

Sipas njoftimit, Sheqir Ferizi la gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e volejbollit kosovar, sidomos në punën me gjeneratat e reja në Shkollën e Volejbollisteve Vajzave “Prishtina”.

“Ai nuk ishte vetëm trajner. Ishte edukator, motivues dhe shembull i njeriut që jetoi për sportin dhe për të rinjtë”, thuhet në reagimin e Federatës.

Përveç angazhimit si trajner, Ferizi kishte kontribuar edhe si sportist i dalluar duke qenë lojtar aktiv i KV “Policia e Kosovës”, KEK-ut dhe ish Universitetit të Prishtinës. Ai gjithashtu shërbeu me përkushtim edhe në Policia e Kosovës.

Federata e Volejbollit e Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes Ferizi, bashkëpunëtorëve, sportisteve dhe gjithë komunitetit sportiv.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot, më 15 maj 2026, në ora 17:00, në fshatin Prapashticë. /Kosova.info/


Go to TOP