Sinani: Vij nga biznesi, jo nga politika
Afaristi i njohur, Blerim Sinani nga Matiçani ka hyrë për herë të parë në garën për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke vazhduar kështu traditën familjare të angazhimit për vendin.
Ai vjen nga një familje me kontribut të gjatë për Kosovën dhe për LDK-në. Gjyshi i tij, Xhemajl Sinani, ishte për vite me radhë aktiv në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke kontribuar në fusha të rëndësishme si arsimi, infrastruktura rrugore dhe shëndetësia.

Kryetari i LDK-së për Matiçanin, Sherif Vrajolli, e kujton Xhemajl Sinanin si një nga kontribuuesit më të mëdhenj për Kosovën dhe për LDK-në duke e quajtur me respekt “Baci Xhem”.
Sot, këtë rrugë po e vazhdon nipi i tij, Blerim Sinani, i cili ka përfunduar studimet jashtë vendit dhe tashmë synon të sjellë përvojën e tij profesionale në shërbim të qytetarëve.
Në prezantimin e kandidaturës së tij, Sinani tha se vjen nga sektori privat dhe jo nga politika tradicionale.

“Për herë të parë jam pjesë e fushatës për deputet për Kuvendin e Republikës së Kosovës në listën e LDK-së. Vij nga biznesi, jo nga politika. E di çka është me punua, me rrezikua dhe me krijua diçka prej zeros. E di çka do të thotë me hap vende pune dhe me krijua mundësi për të tjerët”, u shpreh ai.
Sipas tij, fokusi i angazhimit do të jetë mbështetja për punëtorët, bizneset dhe fermerët vendorë.
“Do të jem zëri i punëtorit që donë me u rrit, i ndërmarrësit që donë me investua, i fermerit që donë me prodhua. Sepse kur forcohet individi, forcohet shteti”, deklaroi Sinani.
Kandidati i LDK-së mban numrin 84 në listën zgjedhore dhe ka shprehur shpresën që gjatë fushatës të takohet me sa më shumë qytetarë në gjithë Kosovën. /Kosova.info/

