Prestreshi kandidat për deputet nga LDK: Për një zë që nuk hesht përballë padrejtësisë
Valon Prestreshi ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se garon për herë të parë me synimin për të përfaqësuar qytetarët dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit.
Prestreshi, i njohur për angazhimin e tij në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, ku u përball me monopole dhe abuzime në treg, tha se gjithmonë ka besuar se shteti duhet t’i mbrojë qytetarët dhe jo interesat e ngushta.
Ai rikujtoi edhe angazhimin e tij të gjatë politik brenda LDK-së duke përmendur pozitat që ka mbajtur ndër vite, nga Forumi Rinor në Obiliq deri te strukturat qendrore të partisë. Aktualisht, ai ushtron detyrën e kryetarit të Nëndegës së Sofalisë dhe është anëtar i Kryesisë së Degës së Dytë në Prishtinë.
Prestreshi theksoi se nuk vjen nga politika e privilegjeve, por nga puna dhe përballja direkte me problemet e qytetarëve.
“Për një zë që nuk hesht përballë padrejtësisë. Për një përfaqësim që nuk shitet. Për një Kosovë ku ligji vlen për të gjithë njësoj”, ka deklaruar ai duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Ai do të garojë me numrin 108 në listën e LDK-së. /Kosova.info/
