Osmani prezanton Dr. Sci. Albulena Bilallin si kandidate për deputete: Zë i ri dhe i fortë në jetën publike
Vjosa Osmani ka bërë të ditur përfshirjen e Dr. Sci. Albulena Bilallit në garën për deputete duke e cilësuar atë si një prurje të rëndësishme me profil akademik dhe profesional ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, Bilalli sjell një karrierë të konsoliduar në fushën e artit, dizajnit dhe shkencës duke u veçuar si doktoresha e parë e huaj në Fakultetin e Grafikës në Universitetin e Zagrebit dhe e vlerësuar me gradën “Summa Cum Laude”.
Gjatë më shumë se 15 viteve angazhim akademik, ajo ka kontribuar në kërkime shkencore, projekte ndërkombëtare dhe në formimin e gjeneratave të reja në Kroaci duke qenë gjithashtu pjesë e grupit “Language of Colour” në kuadër të International Colour Association (AIC).
Në periudhën e fundit, Bilalli është angazhuar edhe në projekte kërkimore në Kosovë, përfshirë bashkëpunime me Trepçën, me fokus në modernizimin e laboratorëve dhe rritjen e standardeve industriale.
Sipas Osmanit, ky angazhim përfaqëson një kombinim të dijes, artit dhe përvojës ndërkombëtare që mund të kontribuojë në jetën publike dhe institucionale të vendit. /Kosova.info/
