Geci: Vjosa Osmani po kthehet në rrugën e Rugovës, Kurti ka zgjedhur drejtimin Shkup-Athinë-Moskë

Aktivisti i çështjet kombëtare, Gani Geci ka reaguar me një deklaratë politike duke thënë se qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të lehtë të zgjedhin mes dy rrugëve politike për vendin.

Ai u shpreh se, megjithëse për gjashtë vjet kishte qenë kundër bashkimit të Vjosa Osmanit me Albin Kurtin, ndarja e tyre politike është zhvillim pozitiv dhe sipas tij, kthimi i Osmanit në LDK paraqet rikthim në rrugën politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Geci krahasoi orientimet politike të figurave të ndryshme shqiptare gjatë dhe pas luftës duke pretenduar se rruga e Rugovës ishte e lidhur me Tiranën, Romën dhe Washingtonin, ndërsa për Albin Kurtin tha se ka zgjedhur drejtimin Shkup-Athinë-Moskë.

Në deklaratën e tij, ai kritikoi edhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit duke pretenduar se ato kanë rritur ndikimin serb në Kosovë dhe kanë krijuar favore për komunitetin serb.

Në fund, Geci u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin, sipas tij, rrugën euroatlantike të Kosovës përmes LDK-së dhe Vjosa Osmanit. /Kosova.info/


Go to TOP