Burjani: Kujt i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe sa mund të ndryshojë rezultati deri më 7 qershor?

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme u konvenojnë kryesisht partive që janë në rritje në sondazhe ose që kanë krijuar momentum politik në opinionin publik.

Sipas tij, partitë që arrijnë të mobilizojnë elektoratin përmes krizave politike, retorikës së fortë apo kauzave të ndjeshme, përfitojnë nga zgjedhjet e shpejta para se kjo valë mbështetjeje të zbehet.

Burjani theksoi se zgjedhjet e parakohshme u shkojnë përshtat edhe partive opozitare që besojnë se qeveria është konsumuar dhe se ekziston pakënaqësi qytetare ndaj pushtetit.

Ai shtoi se në disa raste, edhe liderët politikë mund të kërkojnë zgjedhje për të rikonfirmuar legjitimitetin personal dhe për të marrë një “vulë të re” nga qytetarët.

Ndërkaq, sipas tij, zgjedhjet zakonisht nuk u konvenojnë partive të vogla që nuk janë të përgatitura financiarisht e organizativisht, partive në rënie apo të përfshira në skandale, si dhe vetë institucioneve shtetërore për shkak të kostos dhe pasigurisë që prodhon procesi zgjedhor.

Sa i përket ndryshimeve të mundshme deri më 7 qershor, Burjani vlerësoi se në një periudhë kaq të shkurtër lëvizjet zakonisht janë të kufizuara, por jo të papërfillshme.

Ai tha se ndryshimi minimal mund të jetë 0 deri në 3 për qind nëse situata mbetet e njëjtë, ndryshimi mesatar 3 deri në 7 për qind në rast mobilizimi apo gabimeve në fushatë, ndërsa ndryshim mbi 10 për qind mund të ndodhë vetëm në rast të një krize të fortë politike ose skandali të madh. /Kosova.info/


Go to TOP