Thaçi Meta: Kosova rrezikon të humbë 68.8 milionë euro nga Plani i BE-së, dështim total në përmbushjen e 111 kushteve
Deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi Meta, ka ngritur alarmin se Kosova rrezikon të humbë në mënyrë të pakthyeshme 68.8 milionë euro nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nëse nuk përmbush 111 kriteret e vendosura deri më 30 qershor.
Sipas saj, bazuar në një debat të zhvilluar më 20 prill në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku mori pjesë edhe komisionarja për zgjerim Marta Kos, Kosova deri më tani nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e parapara.
Thaçi Meta theksoi se mungesa e institucioneve funksionale dhe moskonstituimi i Kuvendit gjatë vitit 2025 kanë ndikuar drejtpërdrejt në vonesat dhe rrezikun për humbjen e fondeve. Ajo shtoi se për këtë arsye edhe marrëveshjet me BE-në nuk kanë mundur të ratifikohen me kohë.
Deputetja e LDK-së kritikoi kryeministrin Albin Kurti duke e akuzuar se po mban vendin në një gjendje bllokade politike dhe institucionale duke preferuar – sipas saj – të qeverisë pa kontroll parlamentar dhe pa llogaridhënie.
Ajo përmendi edhe dështime të tjera, si mosarritja e një partneriteti strategjik me SHBA-të, mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe vendosja e sanksioneve nga BE-ja për një periudhë dyvjeçare.
Thaçi Meta theksoi se, me gjithë mbështetjen e vazhdueshme nga BE-ja, Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet që mund të arrijnë deri në 1.5 miliardë euro në vitet në vijim duke e cilësuar situatën si humbje të rrugës në procesin integrues.
Në fund, ajo bëri thirrje për mobilizim institucional dhe politik duke kërkuar funksionalizimin e Kuvendit dhe angazhim maksimal për përmbushjen e reformave, në mënyrë që vendi të mos humbasë këtë mundësi financiare dhe strategjike. /Kosova.info/
