Ndalohet një person në Kaçanik për përdorim të armës

Policia në Kaçanik ka bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 23:25 ka pranuar një informatë se në lagjen “Saniteks” në Kaçanik ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë patrullimit, në rrugën “Ismail Raka”, kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga personi me inicialet L.M ( 26 vjeç).

“Gjatë verifikimit dhe kontrollit të personit dhe automjetit, në brezin e të dyshuarit është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me 5 fishekë, si dhe 2 gëzhoja në xhepin e pantallonave. Po ashtu, në veturë është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë)”, thuhet në njoftim.

Arma, fishekët, gëzhojat dhe thika janë konfiskuar nga ana e policisë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar nga njësiti i hetimeve.

Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Go to TOP