AME apelon për kujdes të shtuar: Shmangni shkaktarët e mundshëm të zjarrit
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar, me rastin e hyrjes në sezonin e verës.
Në një komunikatë të publikuar në Facebook, Agjencia thotë se sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit.
Andaj, agjencia ka apeluar që qytetarët të jenë dhe vigjilentë për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagese 24/7 112, 193 dhe 192, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit, kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore.
Kujdes i veçantë:
• Mos ndizni zjarr në pyje, fusha apo pranë zonave të banuara;
• Mos hidhni cigare të ndezura apo mbeturina që mund të shkaktojnë flakë;
• Raportoni menjëherë në numrat emergjent të çdo vatre zjarri tek autoritetet lokale ose shërbimi zjarrfikës;
• Edukojmë fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e lojërave me zjarr;
• Ruajmë mjedisin si pasuri të përbashkët për brezat e ardhshëm.
“Vetëm me bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të përbashkët mund të parandalojmë tragjedi dhe të mbrojmë natyrën tonë”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
