Haziri: Nuk ka bisedime me LDK-në, Vjosa Osmani po dëgjon qytetarët
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se aktualisht nuk ka bisedime të drejtpërdrejta mes LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani për rikthimin e saj në parti.
Në një intervistë për KosovaPress, Haziri theksoi se Osmani është e fokusuar në komunikimin me qytetarët dhe në vlerësimin e kërkesave të tyreduke lënë të hapur çdo vendim për të ardhmen politike.
“Vjosa Osmani nuk është duke u biseduar me parti politike, por me qytetarët e Kosovës. Nëse do të kishte bisedime me LDK-në, ato do të ishin bërë publike”, u shpreh ai.
Haziri shtoi se Osmani historikisht ka qenë më afër elektoratit dhe strukturave të LDK-sëduke përmendur edhe zhvendosjen e votave drejt Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara.
Ai gjithashtu kritikoi Lëvizja Vetëvendosje për, siç tha, mosmbajtjen e premtimit për një mandat të dytë presidencial për Osmanin, ndonëse sipas tij janë marrë vota në emër të saj.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme në LDK, Haziri theksoi se përbërja e kryesisë së re është përgjegjësi ekskluzive e kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili ka marrë mandatin nga Kuvendi i partisë për të udhëhequr këtë fazë politike.
Ai përfundoi se LDK ka kaluar fazat e përçarjeve dhe tashmë është e gatshme për sfida të reja politike.
