Pasuria e zyrtarëve, Krasniqi: Politika si sektor fitimprurës dhe ‘trashëgimi’ të dyshimta

Albert Krasniqi nga Demokracy Plus ka reaguar ndaj deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik duke ngritur shqetësime për burimin dhe rritjen e tyre.

Sipas tij, këto deklarime po tregojnë qartë se politika është shndërruar në një sektor mjaft fitimprurës. Krasniqi thekson se me paga shtetërore, zyrtarët arrijnë të jetojnë në luks, të blejnë prona dhe të kursejnë, ndërkohë që qytetarët në sektorë të tjerë mezi arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore.

Ai ironizon edhe fenomenin e trashëgimisë duke thënë se sapo individët hyjnë në pushtet, “rritet dashuria familjare” duke trashëguar papritur prona dhe asete të shumta, shpesh pa ndonjë bazë të qartë ekonomike nga familjarët.

Në reagimin e tij, Krasniqi përmend edhe një aspekt tjetër, që sipas tij del nga deklarimet: pretendimet për trashëgimi të veprave artistike me vlera të mëdha, të cilat ai i konsideron të pabesueshme duke pasur parasysh kushtet e vështira ekonomike në të kaluarën.

Këto komente vijnë në kohën kur transparenca dhe besueshmëria e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë mbetet një nga çështjet më të diskutuara në vend. /Kosova.info/


Go to TOP