Peci: Qeveria po rrezikon me “amendamentim” të paligjshëm të Kartës së Bordit të Paqes

Analisti Lulzim Peci ka reaguar ashpër ndaj nismës për ndryshimin e Kartës së Bordit të Paqes gjatë procedurës së ratifikimit duke e cilësuar atë si shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit juridik të Kosovës.

Sipas Pecit, çdo njohës bazik i procedurave të ratifikimit, si në kuadër të ligjeve të Kosovës ashtu edhe të Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, e di se një shtet nuk mund të ndryshojë një marrëveshje ndërkombëtare nëpërmjet ratifikimit të saj. Ai thekson se procedura për ndryshimin e Kartës së Bordit është e përcaktuar qartë dhe nuk mund të zëvendësohet me vendime politike të brendshme.

Peci vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është e vetëdijshme për këtë shkelje, por mund të jetë duke e përdorur situatën për qëllime politike. Sipas tij, ekziston mundësia që kjo qasje të synojë dështimin e ratifikimit, në mënyrë që më pas opozita të fajësohet për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Ai ka shprehur habi edhe për mbështetjen e disa përfaqësuesve të opozitës në Komisionin për Punë të Jashtme duke ngritur dilema nëse kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së njohurive apo me qëllim të caktuar.

Në të njëjtën kohë, Peci përmend si kontradiktore edhe miratimin nga Komisioni për Siguri të pjesëmarrjes së Forca e Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në Gaza, ndërsa paralajmëron se veprime të tilla mund ta dëmtojnë seriozisht imazhin ndërkombëtar të vendit.

Ai paralajmëron se një hap i tillë mund të interpretohet si mungesë serioziteti nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të sjellë pasoja të paparashikueshme për Kosovën.

Në fund, Peci i bën thirrje institucioneve që të tërhiqen nga kjo “lojë e rrezikshme” duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të rrezikojë të ardhmen e vendit për kalkulime politike. /Kosova.info/

Go to TOP