Liverpool rikthehet te fitorja, shkëlqen Ngumoha në ‘Anfield’
Liverpool ka arritur fitore tejet të rëndësishme në garën për të siguruar një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
‘The Reds’ mundën 2-0 Fulham në “Anfield” duke i dhënë fund një serie prej tre ndeshjesh pa fitore ndaj këtij kundërshtari.
Ndeshja u dominua fillimisht nga vendasit, të cilët krijuan disa raste të mira me Andrew Robertson dhe Mohamed Salah, por portieri Bernd Leno reagoi saktë për të mbajtur në lojë londinezët.
Fulhami u kundërpërgjigj me raste të rrezikshme nga Alex Iwobi dhe Harry Wilson duke testuar portierin Giorgi Mamardashvili, por pa arritur të zhbllokonte rezultatin.
Momenti vendimtar erdhi në fund të pjesës së parë, kur talenti Rio Ngumoha realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual duke kaluar Liverpoolin në avantazh. Pak minuta më vonë, Mohamed Salah dyfishoi shifrat duke i dhënë qetësi skuadrës së tij para pushimit.
Në pjesën e dytë, Marco Silva tentoi të ndryshojë rrjedhën e lojës me zëvendësime, por edhe pse Fulhami krijoi disa mundësi me Rodrigo Muniz dhe Emile Smith Rowe, nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës.
Fitorja i jep moral të lartë Liverpoolit në prag të përballjes së rëndësishme ndaj Paris Saint-Germain në UEFA Champions League, ku anglezët do të synojnë një tjetër paraqitje solide për të vazhduar rrugëtimin në Evropë.
Liverpool tani ka 52 pikë në vendin e pestë, kurse, Fulham pozicionet e 11-ta me 44 sosh.
