Policia raporton disa raste kanosjeje dhe dhune në familje
Policia e Kosovës, në raportin e fundit 24-orësh, ka njoftuar për disa raste të kanosjes dhe dhunës, të regjistruara në rajone të ndryshme të vendit, ku në disa prej tyre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në Gllogoc, më 9 prill rreth orës 21:20, është arrestuar një person i dyshuar, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka kanosur dhe sulmuar një femër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Podujevë, më 8 prill rreth orës 16:48, është arrestuar një person i dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka kryer veprën e dhunës në familje dhe kanosjes ndaj viktimave kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, në Gjilan, më 9 prill rreth orës 08:07, Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka kryer veprën e vetëgjyqësisë dhe kanosjes, duke penguar dhe kërcënuar tre ankues meshkuj kosovarë. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast i dhunës në familje dhe kanosjes është raportuar në Kamenicë, në lagjen Iliria, më 9 prill rreth orës 01:00. Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj një femre. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Ferizaj, më 9 prill rreth orës 22:10, raportohet se tre të dyshuar meshkuj kosovarë kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Njëri nga të dyshuarit, i cili ishte në gjendje të dehur, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Gjatë arrestimit, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.
Ndërkohë, në Pejë, më 9 prill rreth orës 12:30, është raportuar një rast i dhunës në familje dhe kanosjes, ku i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka kanosur viktimën femër kosovare. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka njoftuar se për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimet po vazhdojnë.
