Alban Veseli lë basketbollin, zgjidhet president i FC Feronikelit 74
Ish-basketbollisti i njohur Alban Veseli tashmë zyrtarisht është pjesë e futbollit.
FC Feronikeli 74 ka zyrtarizuar ndryshimet në udhëheqjen e klubit, pas mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të klubit nga Drenasi.
Si rezultat i këtij procesi, Alban Veseli është zgjedhur president i ri i klubit, ndërsa Lapidar Lladrovci do të mbajë rolin e Drejtorit Sportiv dhe Argjend Bardhi atë të Menaxherit.
Vendimet u morën unanimisht nga anëtarët e klubit, duke reflektuar besimin e tyre në drejtuesit e rinj.
Presidenti Veseli, pas marrjes së detyrës, falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe theksoi angazhimin për të zhvilluar klubin dhe për të promovuar talentët e rinj.
“Jam i privilegjuar të drejtoj një klub si FC Feronikeli 74. Kam gjetur bashkëpunëtorë të jashtëzakonshëm që do të angazhohen maksimalisht për klubin. Së bashku do të punojmë që Feronikeli të jetë ndër klubet më të organizuara në Kosovë dhe ta bëjmë krenar qytetin e Drenasit. Prioriteti ynë kryesor do të jetë zhvillimi i akademisë dhe krijimi i kushteve më të mira për talentët e rinj,” tha Veseli.
Ky ndryshim në strukturën drejtuese synon të forcojë menaxhimin e klubit dhe të vendosë bazat për një periudhë të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë.
