Peter Due kërkon përgjegjësi për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, e ka marrë fjalën i pari në seancën për Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

Due foli për dialogun, nevojën e implementimit të Marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe Asociacionin.

Ai deklaroi se shpreson për një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrtit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

“Progresi është i mundur. Beogradi e Prishtina duhet të vazhdojnë momentumin, duke vazhduar implementimin e marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq të mbahet në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ai.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për situatën në Kosovë, në kuadër të raportit të rregullt gjashtëmujor të misionit të OKB-së, UNMIK.

Në këtë seancë, Përfaqësuesi Special dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due po raporton mbi zhvillimet politike dhe të sigurisë për periudhën shtator 2025 – mars 2026.

Kosova në këtë takim përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili do t’i paraqesë pikëpamjet e Republikës së Kosovës në KS të OKB-së.

Sipas raportit të shefit të UNMIK-ut, situata në veri të Kosovës vlerësohet si e qetë, por e brishtë, ndërsa theksohet edhe progres i kufizuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në raport përmenden edhe zgjedhjet komunale dhe ato parlamentare të fundit, të cilat janë zhvilluar në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje të gjerë të komuniteteve.

Në raport thuhet se Lëvizja Vetëvendisje ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare, ndërsa Albin Kurti është zgjedhur kryeministër, duke i dhënë fund bllokadës politike disamujore. Megjithatë, raporti vë në pah edhe zhvillimet e fundit politike, përfshirë mospajtimet për zgjedhjen e presidentit dhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, i cili është sfiduar dhe më pas është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Në raport është përmendur takimi i parë trepalësh për personat e zhdukur në Bruksel, si dhe takimet që ka pasur përfaqësuesi i BE-së, Peter Sorensen me liderët e të dyja vendeve, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Go to TOP