Kusari-Lila takon ambasadorin shqiptar, flasin për bashkëpunim
Ministrja e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila bëri të ditur se në takim është riafirmuar lidhja e ngushtë mes Kosova dhe Shqipëria, si dhe janë shqyrtuar hapa konkretë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik.
Sipas saj, organizimi i një forumi ekonomik Shqipëri–Kosovë do të ishte një mundësi e mirë për të fuqizuar bizneset dhe për të hapur perspektiva të reja zhvillimi.
Po ashtu, është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse të ndërmarrësisë në të dy vendet.
Në fokus të bisedës ishte edhe integrimi evropian, i cilësuar si prioritet i përbashkët, si dhe potenciali i madh në sektorin e turizmit për ndërtimin e ofertave të përbashkëta.
“Në frymën e mirëkuptimit dhe solidaritetit, ndamë edhe shqetësimet për sfidat që po përballen qytetarët tanë, veçanërisht rritjen e çmimeve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë.
Shqipëria dhe Kosova çdo ditë e më shumë duhet të afrohen përmes projekteve të përbashkëta dhe veprimeve të koordinuara, në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes të përbashkët”, ka shkruar ajo. /Kosova.info/
