KOK dhe FVK thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e volejbollit dhe përgatitjet për “Prishtina 2030”

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Volejbollit të Kosovës kanë konfirmuar përkushtimin për bashkëpunim më të ngushtë në funksion të zhvillimit të volejbollit dhe avancimit të lëvizjes olimpike në vend.

Në selinë e FVK-së, presidenti Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi pritën presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti.

Krasniqi përgëzoi drejtuesit e federatës dhe komunitetin e volejbollit për progresin e arritur duke theksuar rëndësinë e punës së përbashkët në ngritjen e këtij sporti. Me këtë rast, ai dhe Aliti i dorëzuan një plaketë mirënjohjeje presidentit Gjinovci për kontributin në zhvillimin e volejbollit.

Gjatë takimit u diskutua për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, si dhe për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ku Kosova do të jetë nikoqire.

Palët trajtuan edhe çështje të tjera me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të sportit dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional duke e vlerësuar këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të volejbollit dhe lëvizjes olimpike në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP