Manchester City turpëron Liverpool dhe siguron gjysmëfinalen e FA Cup

Erling Haaland ka qenë figura kryesore në fitoren bindëse të Manchester City ndaj Liverpool me rezultat 4-0, në çerekfinalen e FA Cup, duke siguruar për “Qytetarët” kualifikimin e tetë radhazi në gjysmëfinale.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola nuk e ka nisur mirë ndeshjen, pasi Liverpool ka krijuar rastet e para të rrezikshme me Mohamed Salah dhe Hugo Ekitike, por pa arritur të konkretizojë.

City ka kaluar në epërsi falë një penalltie, të fituar pas ndërhyrjes së Virgil van Dijk, të cilën Haaland e ka shndërruar në gol pa gabim. Sulmuesi norvegjez ka shënuar edhe golin e dytë me kokë, duke i dhënë avantazh të sigurt skuadrës së tij para pushimit.

Në pjesën e dytë, City ka vazhduar dominimin. Antoine Semenyo ka realizuar për 3-0 pas një asistimi të Rayan Cherki, ndërsa Haaland e ka kompletuar “hat-trick”-un pas një asistimi nga Nico O’Reilly.

Liverpool e ka pasur mundësinë ta shënojë golin e nderit, por Salah ka dështuar nga pika e bardhë, pasi portieri James Trafford e ka pritur penalltinë.

Me këtë fitore, Manchester City është vetëm një hap larg finales së katërt radhazi në FA Cup dhe tashmë synon rikthimin në “Wembley”.

Në anën tjetër, skuadra e Arne Slot duhet të rikuperohet shpejt, pasi e pret një përballje e rëndësishme në çerekfinalen e Champions League kundër Paris Saint-Germain.


Go to TOP