Aktakuzë për shitblerje të mbi 4.4 kilogramëve kokainë në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.R. dhe H.K., të cilët ndodhen në paraburgim, si dhe ndaj F.H., i cili gjendet në arrati, nën dyshimin për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:21, në Prizren, në një objekt prapa një qendre tregtare, F.H. dhe E.R., në bashkëkryerje dhe pa autorizim, kanë transportuar dhe shpërndarë 3.3 kilogramë kokainë.
Sipas Prokurorisë, pas komunikimit paraprak me H.K. lidhur me vendin e takimit, të dyshuarit kanë arritur në lokacion me automjet dhe kanë dorëzuar narkotikët, duke pranuar në këmbim një veturë të tipit “VW Golf VIII”.
Pas dorëzimit, F.H. është larguar me automjetin e tij “VW Arteon” me targa belge, ndërsa E.R. ka drejtuar automjetin e marrë në këmbim dhe e ka parkuar para banesës së saj në Prishtinë, ku më pas është sekuestruar nga policia.
Prokuroria njofton se automjeti i F.H. është ndaluar më 16 gusht 2025 nga policia në pikën kufitare “Hani i Elezit”, ku brenda tij është gjetur edhe E.R. si pasagjere.
Ndërkaq, gjatë bastisjes në banesën e H.K. në Prizren, janë sekuestruar 4.436 kilogramë kokainë të destinuara për shitje, si dhe mjete për paketim, qese, role foli, peshore digjitale, kartela dhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Kosova.info/
