Gjinovci: Ekspozita e masakrave po keqpërdoret për luftë politike

Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ekspozitën e masakrave në Kosovë duke theksuar se e vërteta rreth viktimave të luftës vazhdon të mbetet e pjesshme dhe shpesh e kontestuar.

Sipas tij, Kosova ende nuk ka një numër zyrtar dhe të saktë të të vrarëve dhe statusit të tyre në momentin e vrasjes nga forcat serbe gjatë luftës. Gjinovci thekson se të dhënat kryesore mbi viktimat mbështeten në dokumentimin e bërë nga organizata e Natasha Kandić, e cila për këtë kontribut është vlerësuar nga institucione të ndryshme në Kosovë.

Ai i referohet edhe punës së Shkëlzen Gashi, i cili pas një hulumtimi disa vjeçar ka përmbledhur në një libër të dhëna mbi 105 masakra të ndodhura në Kosovë duke analizuar dëshmi, artikuj dhe rreth 10 mijë viktima të regjistruara.

Gjinovci nënvizon se në këtë hulumtim evidentohen edhe mospërputhje mes numrave të deklaruar në përkujtimore dhe atyre të bazuar në dëshmi të verifikueshme. Sipas tij, një nga arsyet kryesore lidhet me raste kur viktimat civile janë deklaruar si ushtarë, shpesh për arsye sociale apo përfitimesh nga skemat shtetërore.

Ai përmend në veçanti edhe masakrën e Dubravës, ku sipas të dhënave të përfshira në libër, një numër i viktimave figurojnë si ushtarë në regjistra, bazuar në deklarimet e familjarëve.

Në reagimin e tij, Gjinovci kritikon ashpër, siç thotë, “histerinë” e nxitur nga kundërshtarët politikë të kryeministrit Albin Kurti duke i akuzuar ata se po e sulmojnë autorin dhe punën e tij për qëllime politike, në dëm të së vërtetës dhe të vetë Kosovës.

Në fund, ai bën thirrje që shoqëria kosovare të nderojë të gjitha viktimat pa dallime duke theksuar se sakrifica e tyre është themeli i shtetit dhe lirisë së vendit. /Kosova.info/

Go to TOP