Reagon Pacolli pas përmendjes së emrit të tij në rastin e Liridona Ademajt
Ish ministri i Punëve të Jashtme, dhe ish-kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar sot në rrjetet sociale pas përmendjes së emrit të tij në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se “njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi. Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur.”
Ai sqaron distancimin e tij nga çdo individ apo rrugë që nuk e përfaqëson. “Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij”, shkruan Pacolli.
Tutje thekson se askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e tij. “Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit”, thekson Pacolli.
Ai shton se heshtja e tij nuk është dobësi, por respekt për dinjitetin. “Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.”
Reagimi i Pacollit vjen pas deklarimeve të të akuzuarit Granit Plava, i cili gjatë seancës gjyqësore pretendoi se i akuzuari Naim Murseli i kishte thënë se për rastin ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, duke i premtuar se “nuk do të qëndronte gjatë në burg”.
Ky reagim i Pacollit nënvizon distancimin e tij nga çdo implikim në rastin e rëndë dhe kërkon që emri i tij të mos përdoret për mbrojtje apo alibi nga të tjerët. /Kosova.info/
