Cakolli: Kushtetuesja sqaron përfundimisht afatet – zgjedhja e Presidentit brenda një mekanizmi 60-ditor
Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka rikonfirmuar parimet themelore lidhur me afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas tij, vendimi nuk sjell interpretim të ri, por qartësim të mëtejmë, pas tentimeve për keqpërdorim të dispozitave kushtetuese për arsye politike. Ai theksoi se Gjykata nuk e ka cilësuar dekretin e Presidentes si antikushtetues, por si vendim pa efekt juridik duke u bazuar në logjikën e afateve kushtetuese.
Cakolli shpjegon se Gjykata e pranon karakterin detyrues të afatit 30-ditor, por sqaron se pasojat e mosrespektimit të tij aktivizohen përmes nenit 82 të Kushtetutës, që lidhet me afatin 60-ditor dhe shpërndarjen automatike të Kuvendit.
Ai thekson se aktgjykimi e mbyll përfundimisht dilemën mes afatit 30 dhe 60 ditë duke i trajtuar ato si një mekanizëm të vetëm. “Totali është 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet”, ka sqaruar ai.
Tutje, sipas tij, Gjykata ka vendosur një standard të ri të rëndësishëm: koha kushtetuese nuk nis kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë. Kjo nënkupton se institucionet nuk mund të vonojnë procesin duke u thirrur në rrethana politike apo procedurale.
Në përfundim, Cakolli vlerëson se ky vendim balancon situatën aktuale dhe u jep hapësirë institucioneve që të përmbyllin procesin duke lënë përgjegjësinë te partitë parlamentare për respektimin e afateve kushtetuese dhe zhvillimin në kohë të procedurave për zgjedhjen e Presidentit. /Kosova.info/
