Kurti në hapjen e Javës së Frankofonisë: Dialogu më i fortë se izolimi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Frankofonisë, e mbajtur në Prishtinë, ku theksoi rëndësinë e kulturës, gjuhës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi se Frankofonia përfaqëson një hapësirë ku “dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se konflikti” duke nënvizuar rolin e saj në afrimin e popujve dhe promovimin e vlerave demokratike.
Ai falënderoi vendet frankofone për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ritheksoi synimin e vendit për të avancuar statusin në Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë.
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e gjuhës dhe kulturës duke theksuar se respekti për gjuhët e tjera buron nga përkushtimi për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ai përmendi gjithashtu ndikimin e letërsisë franceze duke iu referuar figurave si Jean-Jacques Rousseau dhe Victor Hugo, të cilët, sipas tij, kanë ndikuar në mënyrën e të menduarit dhe reflektimit.
Kurti theksoi se diaspora në vendet frankofone ka shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe këtyre vendeve duke ndihmuar në shkëmbimin kulturor dhe arsimor.
Në fund, ai uroi që aktivitetet e kësaj jave të sjellin gjallëri kulturore dhe bashkëpunim më të madh, veçanërisht për të rinjtë, të cilët i cilësoi si bartës të së ardhmes së këtij bashkëpunimi. /Kosova.info/
