Aro Muric e mbron penalltinë, Juventusi ndalet nga Sassuolo
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç, ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen e së shtunës mbrëma në Serie A, duke ndihmuar Sassuolon të marrë një pikë të rëndësishme në udhëtimin te Juventusi (1:1) në Torino, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 30-të.
Portieri dardan u shfaq vendimtar, duke ndalur penalltinë e Manuel Locatellit në minutën e 87-të, teksa realizoi edhe disa pritje të tjera vendimtare gjatë minutave shtesë. Ai gjithashtu bëri ndërhyrje të rëndësishme gjatë kohës së rregullt të ndeshjes dhe u konsiderua më i miri i kësaj ndeshjeje.
Ndërkohë, Edon Zhegrova pati pak minuta në dispozicion te Juventusi, pasi u inkuadrua në lojë në minutën e 88-të. Por në minutat që luajti pati disa krosime të mira në zonë.
Juventusi kaloi i pari në epërsi me golin e Kenan Yildizit në minutën e 14-të, ndërsa Andrea Pinamonti barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 52-të.
Pas këtij barazimi, Juventusi zë vendin e pestë në tabelë me 54 pikë, ndërsa Sassuolo qëndron në mes të tabelës me 39 pikë.
Paraqitja e Aro Muriçit ka rëndësi të veçantë për Kosovën, e cila të hënën nis përgatitjet për ndeshjen gjysmëfinale të ‘play-off’-it për kualifikim në Botëror kundër Sllovakisë.
