LDK në Beneluks mobilizohet: Rikonfirmohet mbështetja e plotë për Lumir Abdixhiku
Dega e Lidhja Demokratike e Kosovës në Beneluks, me seli në Bruksel, ka nisur një seri takimesh me kryesitë e nëndegëve, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së angazhimit të diasporës kosovare.
Nën drejtimin e kryetarit Bahtir Kastrati, këto takime po shërbejnë për diskutimin e zhvillimeve aktuale politike dhe sociale, si dhe për prezantimin e planeve strategjike të partisë. Gjatë bashkëbisedimeve është theksuar roli i rëndësishëm i komunitetit jashtë vendit në mbështetjen e proceseve demokratike dhe në fuqizimin e LDK-së.
Përfaqësuesit e nëndegëve, përfshirë atë të Gelen-it, kanë vlerësuar komunikimin e drejtpërdrejtë me drejtuesit e degës duke e konsideruar atë kyç për rritjen e aktivitetit politik dhe organizimin e strukturave në Benelux.
Në përfundim të këtyre takimeve, Dega e LDK-së në Beneluks ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur për kryetarin Lumir Abdixhiku duke bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive të diasporës në proceset zgjedhore.
Dega ka paralajmëruar se takimet dhe aktivitetet do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me synimin për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe për të forcuar më tej rolin e diasporës në zhvillimet politike në Kosovë. /Kosova.info/
