Trajneri i Sllovakisë: Kosova është kundërshtar i rrezikshëm

Trajneri i Sllovakisë, Francesco Calzona, e ka vlerësuar lart Kombëtaren e Kosovës para përballjes së rëndësishme më 26 mars në kuadër të “play off” të Botërorit 2026, duke e cilësuar si një kundërshtar të fortë.

Ai ka folur të enjten kur ka publikuar listën me njëzet e shtatë lojtarët e ftuar për gjysmëfinalen, e cila pritet të zhvillohet në Bratisllavë. 

Calzona ka theksuar se mungesa e kapitenit Amir Rrahmani është një humbje e madhe për Kosovën, por ai ka thënë se skuadra kosovare ka shumë lojtarë cilësorë që aktivizohen në liga të forta si Serie A dhe Bundesliga.

“Humbja e Rrahmanit është e madhe, por Kosova ka shumë futbollistë cilësorë. Vlera e tyre në treg është më e lartë se e jona. Është një skuadër e rrezikshme”, ka deklaruar ai.

Duke folur për gjendjen e ekipit të tij, trajneri italian e ka pranuar se skuadra ka pasur vazhdimisht probleme me përbërjen gjatë një viti e gjysmë të fundit.

Ai bëri të ditur se disa lojtarë si Lukas Haraslín kanë shqetësime të vogla fizike, ndërsa Leo Sauer është rikthyer së fundmi në stërvitje.

Megjithatë, Calzona nuk ka kërkuar justifikime dhe pret maksimumin nga futbollistët e tij.

“Nuk dua alibi. Lojtarët që janë këtu e kanë sjellë skuadrën deri në këtë fazë. Do të kërkoj 100 për qind nga ta dhe besoj se do të japin maksimumin, si gjithmonë”, është shprehur ai. 


Go to TOP