Irani kërkon që ndeshjet e Botërorit t`i zhvillojë në Meksikë e jo në SHBA
Federata e Futbollit e Iranit është në diskutime me FIFA-n për të zhvendosur ndeshjet e Kupës së Botës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Meksikë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e lojtarëve, ka deklaruar të hënën presidenti i futbollit iranian, Mehdi Taj.
Pjesëmarrja e Iranit në këtë turne global është vënë në pikëpyetje pasi bashkëorganizatori Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Izraelin kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj Iranit.
“Kur Donald Trump ka deklaruar qartë se nuk mund të garantojë sigurinë e ekipit kombëtar të Iranit, ne sigurisht që nuk do të udhëtojmë në Amerikë”, ka thënë Taj në një postim në rrjetin X të ambasadës iraniane në Meksikë. “Ne jemi duke negociuar me FIFA-n që ndeshjet e Iranit në Kupën e Botës të zhvillohen në Meksikë”.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se vendi i saj nuk do të kishte asnjë problem të mirëpriste ndeshjet e Iranit, nëse FIFA e miraton këtë kërkesë.
Irani e ka siguruar pjesëmarrjen e katërt radhazi në Kupën e Botës pasi ka kryesuar grupin në raundin e tretë të kualifikimeve aziatike.
Turneu pritet të nisë më 11 qershor në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Irani është planifikuar të luajë dy ndeshje në Los Angeles dhe një në Seattle. Kundërshtarët e tij në Grupin G janë Belgjika, Egjipti dhe Zelanda e Re.
