PSHDK sqaron: Gegë Lleshi nuk është nga radhët tona, i takon Lëvizjes Vetëvendosje
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka reaguar pas raportimeve në disa media se zëvendësministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, vjen nga radhët e këtij subjekti politik.
Përmes një reagimi publik, kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, ka mohuar kategorikisht këto pretendime duke theksuar se Lleshi nuk është pjesë e strukturave të partisë dhe as nuk është propozuar nga PSHDK në kuadër të marrëveshjes së koalicionit.
“Sqarojmë opinionin publik se Gegë Lleshi nuk është pjesë e strukturave të PSHDK-së dhe nuk është pjesë e marrëveshjes sonë të koalicionit. Ai i takon Lëvizja Vetëvendosje-s”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, reagimi nuk ka për qëllim të dëmtojë apo nënvlerësojë figurën e Lleshit, por të informojë drejt elektoratin dhe opinionin publik lidhur me përkatësinë e tij politike dhe procesin e emërimit në pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
PSHDK ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe informimit të saktë për qytetarët duke bërë të ditur se emërimi i Lleshit nuk lidhet me këtë subjekt politik dhe nuk buron nga marrëveshja e koalicionit. /Kosova.info/
