OVL-UÇK takon Spiropalin, kërkohet mbështetje për proces të drejtë në Hagë

Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së zhvilluan sot një takim të rëndësishëm me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së e njoftuan ministren mbi angazhimin e tyre lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me proceset në Gjykatën Speciale, si dhe për hapjen e një peticioni qytetar që synon mobilizim mbarëkombëtar në mbështetje të një procesi të drejtë dhe me standarde të barabarta për luftën çlirimtare.

Ata theksuan se është thelbësore që zëri i veteranëve dhe i qytetarëve të dëgjohet qartë në këtë fazë përfundimtare të procesit, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Njëkohësisht, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së shprehën falënderim për Ministren Spiropali dhe shtetin shqiptar për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë në përkrahje të çështjeve me rëndësi kombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP