Zefi: Deklaratat e mia janë shtrembëruar – çështja mbyllet përfundimisht pas korrigjimit nga Deutschlandfunk
Dr. Dom Shan Zefi, Vikar Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë, ka dalë me një deklaratë përfundimtare për opinionin publik, pas keqinterpretimeve që pasuan intervistën e tij në radion gjermane Deutschlandfunk.
Ai ka bërë të ditur se, pas komunikimit zyrtar me autorin e intervistës, gazetarin Benedikt Schulz, është vërtetuar qartë se deklaratat e tij janë shtrembëruar dhe interpretuar gabimisht në disa media dhe rrjete sociale.
Sipas Zefit, pretendimi se ai ka thënë se “një shqiptar mysliman nuk ka shpirt shqiptari” është shpifje e pastër dhe nuk qëndron në intervistën origjinale. Ai thekson se asnjëherë nuk ka deklaruar dhe as nuk ka menduar se përkatësia fetare përcakton shpirtin kombëtar të një shqiptari.
Pas kërkesës zyrtare të dërguar më 24 shkurt 2026, gazetari Schulz ka njoftuar se është iniciuar procedura e korrigjimit dhe se përkthimi i diskutueshëm është zëvendësuar me një përkthim fjalë për fjalë. Në versionin e korrigjuar, citati tashmë figuron: “Me këto kostume, me këto rroba, nuk ka shpirt shqiptari”, ndërsa në origjinal thuhet: “sepse me kostume, tesha, kostum, e me këto veshje, nuk ka shpirt… nuk ka shpirt shqiptari”.
Në përgjigjen e tij, Schulz konfirmon se korrigjimi është publikuar dhe se ekziston njoftim zyrtar për saktësimin e bërë duke i dhënë mundësi Zefit që të citojë nga ai komunikim.
Don Shan Zefi kërkon që opinioni publik, brenda dhe jashtë Kosovës, ta njohë të vërtetën ashtu siç është, ndërsa u bën thirrje atyre që kanë përhapur shtrembërime dhe shpifje që të kërkojnë falje për keqinformimin dhe dëmin e shkaktuar.
Megjithëse thekson se është plotësisht i pafajshëm, ai ka kërkuar ndjesë ndaj kujtdo që mund të jetë ndier i lënduar nga mënyra se si është interpretuar intervista e tij duke e cilësuar këtë si akt përgjegjësie dhe mirëkuptimi.
Në fund të deklaratës, ai ka uruar besimtarët në këtë periudhë të Kreshmëve dhe të Ramazanit, me dëshirën për paqe, mirësi dhe bashkim ndërmjet shqiptarëve.
“Me këtë deklaratë kjo çështje konsiderohet përfundimisht e mbyllur. Nuk do të ketë reagime apo polemika të mëtejshme nga ana ime, sepse e vërteta tashmë është sqaruar plotësisht”, përfundon deklarata e tij. /Kosova.info/
