Trajneri i Bodo/Glimt: City s`u ankua, as ne s’jemi mësuar me `San Siro`
Trajneri i Bodo/Glimt, Kjetil Knutsen, ka komentuar ankesat e Inter për fushën artificiale në Norvegji, e cila sipas tyre nuk përmbushte standardet më të larta.
Bodo/Glimt është vetëm një hap larg historisë. Skuadra norvegjeze mbron epërsinë prej dy golash në ndeshjen e kthimit të “play-off” të Champions League ndaj Inter, që luhet këtë javë në “San Siro”.
Deklaratat e trajnerit të skuadrës norvegjeze kanë ardhur si përgjigje indirekte ndaj trajnerit të Inter, Cristian Chivu, i cili më herët kishte refuzuar idenë se eliminimi i mundshëm i Inter do të ishte i turpshëm.
“Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Le të përqendrohemi në atë që mund të kontrollojmë. Manchester City as nuk e përmendi fushën… as ne nuk jemi mësuar me ‘San Siron’, por po mendojmë për gjëra të tjera”, ka thënë Knutsen.
Trajneri norvegjez ka theksuar se skuadra e tij nuk duhet të merret me faktorë të jashtëm si moti apo terreni.
“Ata që përqendrohen shumë te të ftohtit apo gjëra të tjera nuk janë të zgjuar, sipas mendimit tim. Të luash në ‘San Siro’ është një dhuratë dhe duhet të jemi gati ta pranojmë”, është shprehur ai.
Knutsen ka folur edhe për filozofinë e skuadrës së tij, duke theksuar se Bodo/Glimt ka një vizion të qartë dhe intensiv për lojën.
“Jemi frymëzuar nga Liverpool i Klopp. Madje kam marrë edhe komplimente nga ai javët e fundit. Ka lojtarë që duan të vijnë këtu. Nuk jemi qytet i madh, por këtu mund të mësosh të luash futboll. Ne jemi modestë”, ka deklaruar ai.
Sa i përket ndeshjes së kthimit, trajneri norvegjez ka theksuar se skuadra e tij nuk duhet vetëm të mbrohet. “Nuk duhet të mendojmë vetëm për mbrojtje. Duhet ta nisim sikur rezultati të jetë 0-0. I gjithë ekipi duhet të ndihmojë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Në fundin e ndeshjes së parë luajtëm mirë dhe kemi treguar përmirësim”, është shprehur Knutsen.
