UEFA pezullon përkohësisht Prestianni pas incidentit me Vinicius Jr
UEFA ka pezulluar përkohësisht me një ndeshje futbollistin e Benfica, Gianluca Prestianni, pas një incidenti me sulmuesin e Real Madrid, Vinicius Junior, në ndeshjen e parë të “play-off” të Champions League.
Vendimi është bërë i ditur të hënën nga qeveria evropiane e futbollit. Si pasojë, Prestianni do ta humbasë ndeshjen e kthimit që zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku Real mbron epërsinë 1:0 nga takimi i parë në Lisbonë.
Sipas raportimeve, lojtari argjentinas e kishte mbuluar gojën me fanellë dhe e kishte ofenduar Vinicius menjëherë pasi braziliani e kishte realizuar golin. Sulmuesi i Real dhe disa bashkëlojtarë kanë pretenduar se ofendimi ka pasur përmbajtje raciste, por Prestianni e ka mohuar, duke thënë se Vinicius e ka keqkuptuar atë që mendon se e ka dëgjuar.
UEFA ka bërë të ditur se pezullimi është i përkohshëm dhe se Komisioni i Etikës dhe Disiplinës po vazhdon hetimet. Nuk përjashtohet mundësia e një dënimi më të rëndë pas përfundimit të procesit.
Benfica ka dalë në mbrojtje të lojtarit dhe ka konfirmuar se do të apelojë vendimin, edhe pse afatet kohore e bëjnë pothuajse të pamundur ndryshimin e situatës për ndeshjen e kthimit. Klubi portugez ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit, duke përmendur edhe figurën legjendare të Eusebio si pjesë të historisë së tij.
