Shqiponja fiton thellë dhe del në pozitën e dytë
Të dielën u luajtën dy ndeshje të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Është kjo xhiroja e parë e stinorit pranveror.
Shqiponja e Gjakovës fitoi bindshëm në Pejë dhe doli në pozitën e dytë në tabelë. Shqiponja e mposhti Besën me rezultat 38:17.
Juleidt Lourençao i shënoi 12 gola për Shqiponjën. Nëntë i realizoi Ana Carolini Gonçalves. Te Besa gjashtë gola i shënoi Edona Radoniqi e pesë Samanda Konjuhaj.
Shqiponja renditet e dyta me 14 pikë. Besa është e fundit me dy pikë.
Fitore të thellë shënoi edhe Ferizaj ndaj Terezës, 43:22.
Lorena Matarova e Elsa Kongjeli i shënuan nga tetë gola për Ferizajn.
Arjeta Imeraj i kishte shtatë gola për Terezën, kurse gjashtë i realizoi Kaltrina Paci.
Ferizaj e mban vendin e katërt me 12 pikë. Tereza është e pesta me tetë pikë.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Istogut nuk është zhvilluar. /Kosova.info/
