Cakolli: Zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për zgjedhjen e Presidentit duke theksuar se ky është një proces ekskluzivisht parlamentar dhe jo kompetencë e Qeverisë.

Sipas tij, është “pak e çuditshme” që takimet për këtë temë të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte një proces që i takon ekzekutivit. “Zgjedhja e Presidentit është punë e Kuvendit. Takimet për këtë çështje duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse bëhet fjalë për një proces që kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare,” ka theksuar Cakolli.

Ai ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak për raport Kryeministër-deputetë, por për një proces që kërkon koordinim të drejtpërdrejtë mes subjekteve parlamentare brenda Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Cakolli rikujtoi se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus i gjerë parlamentar prej dy të tretave (2/3) të votave, të paktën në dy raundet e para të votimit. Për këtë arsye, ai thekson se koha është vendimtare.

Sipas tij, më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të votohet suksesshëm Presidenti. Në të kundërtën, vendi rrezikon të hyjë në një situatë të shkeljes kushtetuese, e cila praktikisht do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. /Kosova.info/

Go to TOP