Kosova pjesë e “Bordit të Paqes” të Trump për Gazën, reagime të ashpra dhe kërkesë për mosratifikim në Kuvend
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së Kosovës në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, iniciativë e lidhur me ish-presidentin amerikan Donald Trump, që sipas pretendimeve synon administrimin e territorit të Gazës.
Në reagimin publik, kolektivi e cilëson këtë iniciativë si projekt me karakter kolonial dhe e kundërshton zotimin e pjesëmarrjes nga ana e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas tyre, angazhimi në një mekanizëm të tillë do ta poziciononte Kosovën në një rol që bie ndesh me parimet e vetëvendosjes dhe solidaritetit ndërkombëtar.
Kolektivi shpreh shqetësimin se, sipas planeve të bëra publike, shtetet anëtare mund të dërgojnë trupa për administrimin e zonave në Gaza duke përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata theksojnë se FSK-ja është krijuar për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe jo për operacione jashtë territorit që mund ta ekspozojnë vendin ndaj rreziqeve të reja politike dhe ushtarake.
Në reagim përmendet edhe konteksti i brishtë gjeopolitik i Kosovës, përfshirë raportet me Serbia, por theksohet se siguria kombëtare nuk mund të ndërtohet, sipas tyre, mbi “okupimin e një populli tjetër”.
Në fund, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist i bën thirrje institucioneve që çdo marrëveshje e tillë të mos ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe shpreh solidaritet me popullin palestinez. /Kosova.info/
