Urime nga Tirana dhe Ankaraja: Begaj dhe Erdoğan mesazhe për Osmanin në 18-vjetorin e Pavarësisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar mesazhe urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj ka përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës duke theksuar se Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon. Ai e ka cilësuar Kosovën si një shembull inkurajues se si shqiptarët janë kontribuues aktivë në konsolidimin e paqes dhe begatisë në rajon e më gjerë.
“Si dy shtete të një kombi”, Presidenti Begaj ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën në çdo hap të saj drejt zhvillimit dhe fuqizimit ndërkombëtar duke uruar prosperitet dhe avancim të mëtejshëm për vendin.
Ndërkaq, në letrën e tij të urimit, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare. Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin e Turqisë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim të qëndrueshëm në rajon.
Mesazhet e urimit nga Tirana dhe Ankaraja vijnë në një ditë simbolike për shtetin e Kosovës duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin strategjik që Kosova gëzon me Shqipërinë dhe Turqinë. /Kosova.info/
