Një urim nga Beogradi për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Dy institucionet qendrore të shtetit të Kosovës, presidenca dhe qeveria, në vargun e shumë urimeve për përvjetorin e 18 të shpalljes së pavarësisë, kanë pranuar edhe një urim nga Beogradi, nga një politikan serb kosovar i cili me guxim të pashembullt i është kundërvu politikisht regjimit të Millosheviqit dhe vazhdimësisë së tij nga ana e të pasardhësve në politikën Serbe me në krye Aleksandër Vuçiqin.
Këtë urim e dërgon Radomir Dimiç, Kryetar i lëvizjes Kosova Multietnike.
“E Presidente e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, i nderuari Kryeministër Albin Kurti!
Në emër të lëvizjes Kosova Multietnike, ju lutemi pranoni urimet më të sinqerta me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
I uroj të gjithë bashkëqytetarëve të mi lumturi dhe prosperitet dhe të gëzojnë frytet e lirisë dhe fitores mbi regjimin dhe terrorin shumëvjeçar të Millosheviqit që u krye kundër shqiptarëve të Kosovës,” thuhet në urimin e Radomir Dimiçit.
Ai po ashtu shpreson që Kosova e re, shtet i pavarur, me lirinë e fituar dhe njohjen ndërkombëtare, së shpejti do të bëhet edhe anëtare e barabartë e familjes evropiane.
“Tani që ajo kohë e së keqes është prapa nesh, më vjen mirë që Kosova është në një rrugë të qëndrueshme, demokratike, veçanërisht në lidhje me integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe organizmat dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjithashtu jam i sigurt se, falë aftësisë së jashtëzakonshme lidershipi të dyshes politike Osmani-Kurti, Kosova shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, të cilin qytetarët e Kosovës e dinë se e meritojnë”, përfundon urimin Radomir Dimic, Kryetar i Kosovës Multietnike. /Kosova.info/
