Gjyqtarët kosovarë dhe ai evropian diskutojnë për të drejtat e njeriut
Sot, kryetari i Gjykata Supreme e Kosovës, Fejzullah Rexhepi, dhe kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj, pritën në një takim të veçantë gjyqtarin nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Darian Pavli, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor.
Sipas njoftimit nga Gjykata Supreme e Kosovës, takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, me theks të veçantë në zbatimin e standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në sistemin juridik të Kosovës.
“Gjatë këtij takimi, kryetari Rexhepi vlerësoi lart rolin dhe kontributin e gjyqtarit shqiptar Pavli, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe theksoi përkushtimin e Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, thuhet se gjyqtari Pavli ndau përvoja nga puna e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke diskutuar çështje që lidhen me interpretimin dhe zbatimin e Konventës, si dhe rëndësinë e dialogut gjyqësor ndërmjet gjykatave kombëtare dhe asaj evropiane.
Pas këtij takimi, gjyqtari Pavli u prit edhe nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme, me të cilët zhvilloi një diskutim të hapur profesional, mbi sfidat aktuale në fushën e të drejtave të njeriut, rolin e gjyqtarit në garantimin e tyre dhe rëndësinë e unifikimit të praktikës gjyqësore në përputhje me jurisprudencën evropiane.
Këto takime i paraprinë Konferencës me titull, “Standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi transparencën dhe lirinë e shprehjes në sistemin gjyqësor”, e cila mbahet sot me pjesëmarrjen e të gjithë kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve të caktuar dhe zëdhënësve të gjykatave.
