Slloveni Prevc fiton medaljen e artë në kërcim më ski
Pas zhgënjimit në trampolinën normale, slloveni Domen Prevc u rikthye fuqishëm duke u shpallur kampion olimpik në trampolinën e madhe.
Prevc siguroi medaljen e artë me një performancë të shkëlqyer në dy seri kërcimesh, duke grumbulluar gjithsej 301.8 pikë.
Në serinë e parë ai kërceu 138.5 metra dhe u rendit i dyti, 7.0 pikë pas japonezit Nikaido Ren. Në kërcimin vendimtar, slloveni arriti në 141.5 metra, duke ushtruar presion maksimal ndaj rivalit të tij.
Nikaido, i cili kishte realizuar 140.0 metra në serinë e parë, në të dytën arriti vetëm 136.5 metra, rezultat që nuk ishte i mjaftueshëm për ta ruajtur epërsinë. Ai përfundoi me 295.0 pikë dhe u stolis me medaljen e argjendtë.
Në vendin e tretë u rendit polaku Kacper Tomasiak, i cili me kërcime prej 133.0 dhe 138.5 metrash grumbulloi 291.2 pikë, duke siguruar medaljen e bronztë.
Tomasiak realizoi një paraqitje të fortë në serinë e dytë, duke lënë jashtë podiumit norvegjezin Kristoffer Eriksen Sundal.
Domen Prevc (SLO) – 301.8 pikë
Nikaido Ren (JPN) – 295.0 pikë
Kacper Tomasiak (POL) – 291.2 pikë
