Osmani priti znj. Anu Prattipati, diskutuan për stabilitetin institucional dhe bashkëpunimin me SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. 

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituivin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve. 

Në takim u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. /Kosova.info/


Go to TOP