Suharekë, për manipulim të votave intervistohen 71 persona, 19 ndalohen

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka iniciuar hetime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Komunën e Suharekës.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë ndërmarrë pas pranimit të informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

“Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, Policia e Kosovës ka intervistuar gjithsej 71 persona. Nga ta, 19 persona, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësohet parashtrimi i kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarve në procedurë.

“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP