Mustafa: LDK në krizë identiteti, rrëshqitje majtas dhe imitim i Vetëvendosjes në populizëm social

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër drejtimin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke vlerësuar se partia po përballet me krizë identiteti dhe po rrëshqet drejt politikave të majta, në përpjekje për të garuar me Lëvizjen Vetëvendosje në terrenin e populizmit social.

Në një intervistë për Kosovapress, Mustafa theksoi se ka konfuzion rreth pozicionimit ideologjik të LDK-së. “Unë dëgjoj që të gjithë dalin edhe thonë: ‘Ne jemi Rugovista, ne jemi të djathtë’. Së pari duhet ta kemi të qartë se LDK nuk është parti e djathtë. LDK është parti e qendrës së djathtë. Parti e djathtë dallon mjaft shumë prej partisë së qendrës së djathtë”, tha ai.

Sipas Mustafës, nuk është e lejueshme që përfaqësues të LDK-së të identifikohen si rugovistë, ndërkohë që promovojnë politika tipike të majta. “Nuk i lejohet askujt që të dalë e të lërë përshtypjen se është ‘Rugovist’, kur flet për ndihma sociale dhe për gara se kush do t’i rrisë pagat minimale më shumë. Nëse Albin Kurti thotë 500 euro, ne themi 700. Atëherë s’je as i djathtë, as i qendrës së djathtë – politikat po i zhvillon të majta”, u shpreh ai.

Mustafa e krahasoi fushatën e LDK-së me një proces licitimi social, ku partitë opozitare, sipas tij, kanë imituar ofertat e Vetëvendosjes. “Fushata që është bërë nga LDK-ja është bërë si licitacion me VV-në. VV-ja ka bërë një ofertë sociale, LDK-ja është munduar ta bëjë pak mbi atë, PDK-ja edhe më lart. Domethënë, krejt opozita e ka imituar Albin Kurtin”, përfundoi Mustafa.


Go to TOP