Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbyll 26 motele dhe villa

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka mbyllur përkohësisht 26 motele dhe villa në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pas një aksioni të gjerë inspektues të realizuar në bashkëpunime Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.

Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati ka bërë të ditur se, në përputhje me kompetencat ligjore, ka vendosur mbylljen e përkohshme të këtyre subjekteve për shkak të “mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit, respektivisht aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”.

“Aksioni është realizuar me qëllim të sigurimit të respektimit të standardeve ligjore, mbrojtjes së konsumatorëve, garantimit të konkurrencës së ndershme në treg, si dhe verifikimit të përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Tregut.

Gjatë kontrollit janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, kryesisht nga sektori i hotelerisë dhe turizmit, me fokus të veçantë në vila dhe motele që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë fushë.

Përveç masave të mbylljes, ndaj operatorëve ekonomikë që kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi janë shqiptuar edhe 27 masa ndëshkuese.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është paralajmëruar se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen “në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës”. /Kosova.info/


Go to TOP