Hapen aplikimet për programin OriginAL 2026 për të rinjtë e diasporës
Programi OriginAL ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikime për vitin 2026 duke u ofruar të rinjve shqiptarë nga diaspora mundësinë për t’u lidhur me rrënjët e tyre. Nisma realizohet nga organizata GERMIN dhe Fondacioni Global Shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
OriginAL, i cili tashmë është në vitin e katërt të zbatimit, ka sjellë deri më tani 257 të rinj nga 25 shtete të ndryshme për të vizituar Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Programi ofron një përvojë dyjavore falas, e cila ndërthur edukimin, kulturën, historinë dhe vullnetarizmin duke nxitur lidhjen njerëzore mes të rinjve të diasporës, njofton organizata GERMIN.
Qëllimi i programit është të krijojë një hapësirë ku të rinjtë shqiptarë, kryesisht të lindur dhe të rritur jashtë vendlindjes, të kenë mundësinë të njohin më nga afër origjinën e tyre dhe realitetin bashkëkohor të vendeve shqiptare. OriginAL synon të ndryshojë narrativën e migrimit duke e zhvendosur fokusin nga largimi drejt kthimit dhe angazhimit me atdheun.
Gjatë viteve të zbatimit, programi ka mirëpritur qindra pjesëmarrës nga dhjetëra shtete, të cilët kanë forcuar marrëdhënien me identitetin, kulturën dhe historinë shqiptare. Sipas organizatorëve, disa prej pjesëmarrësve kanë zgjedhur të rikthehen për të vazhduar jetën në Shqipëri dhe Kosovë.
Për vitin 2026, programi synon të sjellë mbi 150 të rinj të diasporës në vendet e origjinës duke vijuar misionin e tij për forcimin e lidhjeve mes brezave të rinj shqiptarë dhe atdheut. /Kosova.info/
