Grumbullohet Kombëtarja U1, Shala pret kampionat shumë sfidues
Kombëtarja U16 e Kosovës në hendboll është grumbulluar për përgatitjet finale për Kampionatin Mesdhetar që mbahet në Prishtinë.
Mesdhetari për hendbollistet e reja mbahet prej 9 deri më 14 shkurt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kombëtarja jonë më 9 shkurt luan ndaj Spanjës, ndërsa më pas do të ketë ndeshje të tjera shumë sfiduese.
Kombëtarja U16 ka pasur dy grumbullime më herët, ndërsa kryetrajneri Faruk Shala pret garë shumë të vështirë.
“Në Kampionatin Mesdhetar shumica e Kombëtareve pjesëmarrëse janë të Divizionit A, me nivel shumë të zhvilluar të hendbollit. Kjo do të thotë se janë në nivel tjetër krahasuar me garat ku ne marrim pjesë, përkatësisht Divizionin B të cilit aktualisht i përkasim. Presim që ky turne të jetë shumë sfidues për ne. Rrjedhimisht edhe synimet tona janë të kufizuara sa u takon rezultateve”, ka thënë Shala të martën.
Ai e di që vajzat do të mësojnë shumë nga përvoja në Mesdhetar.
“Kjo gjeneratë debuton në arenën ndërkombëtare, kurse objektivi kryesor është të bëjmë një hap përpara në aspektin e zhvillimit. Kjo nënkupton krijimin e një koncepti të qartë të lojës, përcaktimin e mënyrës se si duam të luajmë dhe si do t’u qasemi ndeshjeve. Qëllimi është të ndërtojmë elementet bazë të lojës të kësaj Kombëtareje të re. Një paraqitje solide dhe krijimi i një vizioni të qartë do të ishte inkurajues për ne, duke marrë parasysh edhe përvojën që do ta fitojmë nga ky turne. Presim të rritemi si skuadër dhe më të konsoliduar t’i presim ngjarjet e tjera”, ka shtuar Faruk Shala. /Kosova.info/
