Alarm ekonomik: Mbi 1 miliard dollar humbje në ditë nga bllokadat kufitare në Ballkanin Perëndimor

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për pasojat e rënda ekonomike që po shkaktohen nga bllokadat në pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor, të krijuara pas zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljes (EES) nga Bashkimi Evropian. Sipas AKB-së, këto bllokada po shkaktojnë humbje mbi 1 miliard dollar në ditë në qarkullimin e mallrave ndërmjet rajonit dhe BE-së.

Si pasojë e situatës së krijuar, qindra kamionë kanë mbetur të bllokuar në kufij, mallrat po vonohen ndjeshëm, ndërsa bizneset dhe transportuesit po përballen me humbje të mëdha financiare. AKB thekson se transportuesit dhe kompanitë po paguajnë çmimin e një sistemi që nuk është i adaptuar për realitetin dhe kapacitetet infrastrukturore të rajonit.

Protestat e sotme të transportuesve, sipas AKB-së, janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre barrierave administrative dhe teknike, të cilat po godasin rëndë ekonominë rajonale dhe po rrezikojnë stabilitetin e zinxhirit të furnizimit.

Në këtë kontekst, AKB kërkon urgjentisht:

– Zbatim fleksibil të sistemit EES për vendet e Ballkanit Perëndimor,

– Rritje të kapaciteteve njerëzore dhe teknike në pikat kufitare,

– Dialog të menjëhershëm me transportuesit dhe komunitetin e biznesit.

“Çdo ditë vonesë nënkupton humbje të reja milionëshe dhe miliardësh duke rrezikuar seriozisht konkurrueshmërinë e bizneseve tona në tregun evropian”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se do të vazhdojë të jetë zëri i bizneseve dhe transportuesve duke kërkuar nga institucionet vendore dhe Bashkimi Evropian që të mos shndërrohen në pengesë për zhvillimin ekonomik dhe qarkullimin e lirë të mallrave. /Kosova.info/

Go to TOP