Krasniqi: LDK-ja e mitizoi Rugovën dhe i luftoi bashkëpunëtorët e tij duke humbur historinë dhe elektoratin

Njëri nga themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj mënyrës se si Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas tij, ka trajtuar figurën e presidentit historik Ibrahim Rugova pas vdekjes së tij duke e shkëputur nga realiteti politik e shoqëror dhe duke injoruar kontributin e bashkëpunëtorëve dhe themeluesve të LDK-së.

Në një shkrim të publikuar më 21 janar 2026, Krasniqi thotë se kjo qasje i ka shkaktuar dëm të madh vetë LDK-së, pasi udhëheqjet e saj kanë “prerë degën në të cilën kanë qëndruar” duke luftuar dhe etiketuar miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të Rugovës.

“Duke na luftuar ne, dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e tij, LDK-ja e ka lënë veten pa dëshmi dhe pa histori reale, të cilat sot as vetë nuk i njeh,” shkruan Krasniqi duke shtuar se pikërisht kjo ka bërë që një pjesë e elektoratit dhe e historisë së LDK-së të “vidhet nga mashtruesit” dhe të përfundojë te Lëvizja Vetëvendosje.

Ai kritikon edhe manifestimet e fundit për përvjetorin e Rugovës duke thënë se ato dëshmojnë të njëjtën mendësi përjashtuese. Sipas tij, një LDK pa emrat e themeluesve dhe pa njohjen e kontributit të mijëra aktivistëve nuk mund të qëndrojë në këmbë.

“Demek e duam Rugovën, por i luftojmë bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij. Kë luftoni? Ata që e kanë bërë Rugovën të jetë ai që ishte,” thekson Krasniqi duke shtuar se pa kontributin e tyre, Rugova nuk do të ishte shndërruar në lider historik.

Në fund, ai paralajmëron se një parti që mohon historinë dhe njerëzit që e kanë ndërtuar, rrezikon të përfundojë “e gjunjëzuar në prehrin e armiqve ideologjikë të Rugovës” duke nënvizuar se nuk mund të ketë histori të Rugovës pa kontributin e mijëra njerëzve që, sipas tij, kanë punuar ditë e natë deri në çlirimin e Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP