Hyseni: Rugova ishte dhe mbetet përjetësisht i Kosovës

Me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka përkujtuar figurën dhe trashëgiminë e tij shtetformuese duke theksuar rolin unik që Rugova ka pasur për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Hyseni kujton se më 21 janar 2006, Kosova dhe mbarë kombi shqiptar i dhanë lamtumirën e fundit Ibrahim Rugovës, një lider që, sipas tij, edhe sot mbetet referencë morale dhe politike.

“Sot, 20 vite pas, përballë çorodisë së posesivizmit politik në Kosovë, duhet theksuar më fuqishëm se kurrë më parë se Ibrahim Rugova ishte i Kosovës dhe mbetet përjetësisht i Kosovës,” ka deklaruar Hyseni.

Ai e ka përshkruar Rugovën si një personalitet të urtë e të ditur, me intelekt të pashoq, gjithnjë të qeshur dhe shumë të dashur për njerëzit. Sipas Hysenit, Rugova ishte tolerant kur e kërkonte interesi i vendit, mirëkuptues dhe unifikues duke e vendosur gjithmonë interesin nacional mbi çdo interes tjetër.

“Për Ibrahim Rugovën, interesi nacional ishte i shenjtë dhe shkonte përtej çdo interesi tjetër,” ka theksuar ai.

Në fund të mesazhit të tij, Skender Hyseni ka shprehur lutjen:

“Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!” /Kosova.info/

Go to TOP